“Shtëpi, e ëmbla shtëpi”

Vajza të reja lënë diasporën për Kosovën

Në valixhe prej 32 kilogramësh, disa vajza të reja kanë paketuar të gjithë jetën e tyre dhe janë nisur drejt Kosovës në vitet e fundit.

Kur Kosova është prekur së voni nga ikja e të rinjve drejt vendeve të Bashkimit Evropian, këto vajza kanë vendosur ta ndjekin lumturinë që ndienin në pushimet e fëmijërisë dhe janë shpërngulur në Kosovë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) nuk ka ndarë të dhëna për numrin e këtyre të rinjve. Por, REL-i ka raportuar edhe më parë për histori të tilla të  të rinjve nga diaspora që po zhvendosen në Kosovë .

E, pse kthehen ata në Kosovë?

“Kur na pyesin pse jemi kthyer, ne themi që shkaku i energjisë këtu. Njerëzit nuk vijnë këtu për të gjetur pasuri”, thotë njëra nga banoret e reja të Kosovës, Ariana Krasniqi.

Historia e Ariana Krasniqit

Ariana Krasniqi

Fotografitë e Arianës së vogël e të buzëqeshur në shtëpinë e saj në Danimarkë e bënin rrugëtimin deri në shtëpinë e gjyshërve të saj në Kosovë.

Gjyshja i ruante ato në banesën e saj në Prishtinë si kujtimet më të çmuara të mbesës së saj të parë.

Gjyshja e Arianës mban në duar fotografi të familjes së Arianës, e cila shihet në anën e djathtë.

Rreth shtatë vjet pasi kishte lindur, Ariana më në fund udhëtoi për në Kosovë dhe takoi gjyshen.

“Ardhjen në Kosovë e kam kujtimin më të rëndësishëm të fëmijërisë. Krejt verën kam qëndruar te gjyshja, me kushërinj. Hera e parë kur e kam pasur ndjenjën e komunitetit. Pastaj, gjithmonë e kam ndjekur atë ndjenjë”, thotë Ariana, tani 29-vjeçare, për Radion Evropa e Lirë.

Ariana gjatë fëmijërisë.

Kërkimi për ngrohtësinë familjare dhe lumturinë që kishte ndier gjatë pushimeve vjetore në Kosovë, e kishte nxitur Arianën të kthehej më 5 janar të këtij viti për të jetuar në vendlindjen e prindërve.

“Sa herë që jam ndier keq në vitet e fundit, vija këtu dhe e fitoja një krejt tjetër qetësi dhe gëzim. Sa njerëzit e kërkojnë këtë lumturi edhe kur unë e dija se ku e kam këtë lumturi, pse të mos vija?! Ndoshta rroga është ndryshe, ama lumturia nuk krahasohet me asgjë”, thotë ajo.

Ariana tregon tatuazhin e simbolit të Hyjneshës në Fron.

Me të arritur në Aeroportin e Prishtinës, ajo tregon se psherëtimën e ndjenjës së çlirimit e ka ndjekur me thënien “shtëpi, e ëmbla shtëpi”.

Dashurinë për Kosovën thotë se ia kishte ushqyer qysh në vegjëli babai i saj. E prej tij, përveç dashurisë, ajo mori edhe kuriozitetin për historinë dhe kulturën e vendit.

“Ndoshta që nuk kam qenë afër këtu, e kam pasur këtë dashuri edhe më shumë. Tani po e mësoj gjuhën edhe më shumë, sepse më vjen keq që shqipja nuk është gjuha që e flas më së miri”, thotë Ariana.

Ariana me babain e saj.

Tani, përveç punës së saj si eksperte në marketing, Ariana është aktive edhe në rrjete sociale, ku publikon video të ndryshme lidhur me historinë, kulturën dhe ngjarjet në Kosovë.

Edhe pse thotë se nuk merr para nga videot që bën, ajo ndihet e përmbushur nga kjo punë.

“Më shkruajnë të rinj nga diaspora dhe më thonë se ndihen krenarë që po shohin video për anët pozitive të Kosovës. Sepse, historia jonë nuk është vetëm luftë dhe Kanun”.

Vetë Ariana do të kishte dashur të kishte parë video të tilla kur ishte përballur me pasiguri për identitetin e saj në Danimarkë.

Ariana Krasniqi

Ajo thotë se në fëmijëri i kishin thënë shpeshherë se nuk ishte daneze, për shkak të origjinës së prindërve të saj. Ndërsa, kur kishte diplomuar dhe ishte punësuar atje, i bënin presion të thoshte se ishte daneze e jo shqiptare.

“Kur je refugjate, të thonë që duhet të integrohesh, duhet ta ndryshoh etnicitetin. Por, nëse je zhvendosur për punë apo biznes, këtë nuk ta kërkon askush”, thotë Ariana.

“Më thoshin [kur isha e vogël] ‘nuk je daneze, nuk je daneze’. Në fund e mora vesh që njëmend nuk jam dhe erdha këtu”.

Historia e Diellza Gjikollit

Diellza Gjikolli

Në familjen e Diellzës, në Norvegji, kthimi në Kosovë ishte diskutuar gjithmonë si synimi kryesor për të ardhmen.

E, kur ajo përfundoi gjimnazin dhe po vlerësonte se ku të vazhdonte studimet, ky synim nuk i largohej dot nga mendja.

Shoqet e saj kishin vendosur të shkonin nëpër vende të ndryshme të Evropës për studime, ndërsa Diellza vendosi të shkonte në Kosovë për të studiuar psikologji.

“Plani ka qenë gjithmonë të kthehemi. Unë jam si karakter më e vendosur. Dhe, e kam parë që ka shumë ardhmëri në Kosovë. Jemi duke u ngritur si shtet dhe nëse vijmë këtu, mund të bëhemi pjesë e ndryshimit”, thotë Diellza.

Diellza Gjikolli

Ajo është kthyer disa herë që nga 8 tetori i vitit 2022 për vizitë në Norvegji dhe thotë se asgjë nuk e ka bërë të pendohet për vendimin e marrë.

“S’do të mund të jetoja më në ndonjë vend të ftohtë - të ftohtë si në aspektin e motit, por edhe për karakterin e njerëzve. Jeta që e bëj këtu, është shumë e gjallë. Edhe shoqërinë e kam si vetja”, thotë Diellza.

Si Ariana, edhe Diellza e ka trashëguar dashurinë për Kosovën nga babai i saj. Për dallim nga nëna e saj që kishte plot familjarë në Norvegji, babai i Diellzës i kishte të gjithë në Pejë.

Diellza gjatë fëmijërisë.

“E kam ditur gjithmonë që babai e ka mallin për familjen. Dhe, kur shumica më kanë thënë ‘Pse po shkon? Çka po kërkon atje?’, babai më ka përkrahur”, tregon Diellza.

“Kur erdhëm verës për pushime, isha pak më në dyshim për shkak të gjërave që më thoshin të tjerët. Por, një ditë, veç i thashë babait ‘dua të rri këtu’ dhe jemi nisur menjëherë për Prishtinë dhe jam regjistruar në fakultet”, shton ajo.

Diellza Gjikolli

Tani Diellza e përjeton atë që e kishte përjetuar babai i saj më parë. Ajo po qëndron larg familjes së saj dhe thotë se e vetmja gjë që e mërzit herë pas here, është malli për familjen dhe nipin e mbesën e saj.

“U them ‘hajdeni te halla në kurbet’’. Por, realisht, ata janë në kurbet e unë jam në vendin tim”.

Për të, fillimi kishte qenë më i vështirë, pasi që pushimet e fëmijërisë ajo i kishte kaluar në Pejë, ku kishte krijuar një rreth të gjerë të shoqërisë.

Ndërsa, këtë herë, u detyrua të zhvendosej në Prishtinë, për shkak të ligjëratave në fakultet. Por, ngrohtësinë që e kishte ndier në Pejë, e ndien edhe në kryeqytet.

“Njerëzit përreth më rrinë afër dhe më thirrin, sepse e dinë që jam vetë. Komshinjtë më thërrasin ‘Diellza, hajde te ne se kemi bërë bukë’. Është një ndjenjë interesante”, thotë Diellza.

Historia e Marigona Selimit

Marigona Selimi

Për Marigonën, kjo ngrohtësi kishte munguar në vitet e para të jetës së saj në Holandë, pasi që familja e saj nuk kishte asnjë të afërm pranë.

E, sapo kishte mbushur tre muaj, prindërit e tani 25-vjeçares e kishin marrë atë dhe e kishin çuar në pushime në Podujevë të Kosovës, për ta parë familjarët e tjerë.

Marigona gjatë fëmijërisë.

Çdo verë, gjatë 19 vjetëve në Holandë dhe pesë vjetëve në Angli, Marigona e ka kaluar në Kosovë.

“Kemi familje shumë të madhe, kështu që babai na ka treguar shumë gjëra për të. Kjo na ka tërhequr që të vijmë në Kosovë se atje jemi rritur pa njerëzit e familjes”, thotë Marigona.

Marigona Selimi

E, që nga maji i vitit të kaluar ajo është shpërngulur për të jetuar në Kosovë. Vendimi i saj kishte habitur shumë persona jashtë familjes së saj të ngushtë.

“Më pyesnin nga pesë herë ‘Pse ke ardhur? Pse ke ardhur? Pse ke ardhur?’... U thosha ‘Çka ka për të mos u kuptuar? Dua ta hap lokalin tim’”.

Ajo ka vazhduar të jetojë në Podujevë, për shkak të afërsisë me familjarët e saj atje, edhe pse ka hapur sallonin e saj të bukurisë “Marigona’s Studio” në Prishtinë.

Marigona Selimi

“Gjithmonë, sapo vija në Kosovë, shkoja te çikat e xhaxhait për të luajtur. I thosha mamit ‘m’i rregullo flokët’ dhe menjëherë nisesha drejt shtëpisë së tyre”, kujton Marigona.

Edhe pse nganjëherë e kaplon një lloj frike se mos ka gabuar me kthimin e saj, Marigona thotë se nuk është penduar dhe se mendon të jetojë në Kosovë edhe në të ardhmen.

“Prishtina të jep shumë mundësi. Kosova është shtet që ka nevojë për njerëz të rinj që hapin biznese e gjëra të tilla”, përfundon Marigona.

Marigona Selimi


Misioni i Radios Evropa e Lirë është plasimi i informatave dhe ideve që promovojnë vlerat dhe institucionet demokratike. Radio Evropa e Lirë financohet nga fondi i Kongresit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Media Globale.

Radio Evropa e Lirë © Korrik 2024 RFE/RL, Inc. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Ariana Krasniqi

Gjyshja e Arianës mban në duar fotografi të familjes së Arianës, e cila shihet në anën e djathtë.

Ariana tregon tatuazhin e simbolit të Hyjneshës në Fron.

Ariana me babain e saj.

Ariana Krasniqi

Diellza Gjikolli

Diellza Gjikolli

Diellza gjatë fëmijërisë.

Diellza Gjikolli

Marigona Selimi

Marigona Selimi

Marigona Selimi

Marigona Selimi