
“Heshtja e thyer”
Rastet e dhunës seksuale gjatë luftës vihen para drejtësisë
Frikë, traumë, mosbesim, paragjykim, probleme psikike e shëndetësore. Kështu i kanë përkufizuar vitet e pasluftës shumë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Flutura thoshte se, për të, “më mirë po të mos ishte [ezkistonte]”. Ajo ishte dhunuar, bashkë me motrën e saj, ndërsa forcat serbe edhe ua kishin prerë e vënë në zjarr gjymtyrët.
Yllka rrëfente se sa të vështirë e ka pasur të vazhdojë jetën, teksa thoshte se “edhe dielli i pengonte”. Ajo kishte qenë vetëm 18 vjeçe kur ishte dhunuar nga forcat serbe.
Melihatja , e zhgënjyer nga refuzimi që kishte marrë në aplikimin për ta fituar statusin si e mbijetuar e dhunës seksuale, ishte penduar që kishte filluar këtë iniciativë. Bashkëshorti i thoshte vazhdimisht se “vetëm është bërë horë”.
Këto rrëfime, me emra të vendosur nga redaksia e REL-it, janë vetëm disa nga ato që Radio Evropa e Lirë ka publikuar, me gjithë hezitimin e shumë të mbijetuarve për të folur për dhunimet.
Të tillë besohet se janë rreth 20 mijë njerëz në Kosovë, por statusin ligjor e kanë marrë vetëm rreth 2.000 persona.
Megjithatë, Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) beson se Kosova është “histori suksesi” për mënyrën se si janë trajtuar këto raste në vitet e fundit.
Pse thotë kështu? Amer Alija, nga Fondi për të Drejtën Humanitare (HLC) e vë theksin te numri më i madh i aktakuzave të ngritura për këto raste në vitin e fundit. Gjatë 2024-tës, nga 25 rastet e krimeve të luftës që u trajtuan nga sistemi i drejtësisë në Kosovë, dhjetë prej tyre kishin të bënin me akuzat për dhunë seksuale.
“Rritja e aktakuzave është një hap pozitiv pasi që viktimat e dhunës seksuale kanë filluar të thyejnë heshtjen, të luftojnë stigmat dhe të raportojnë krimet në organet e ndjekjes”, tha Alija, gjatë publikimit të një raporti të HLC-së për rastet e krimeve të luftës.
Çfarë e ka shkaktuar këtë rritje? Ndryshimet ligjore që ua mundësuan gjykimin në mungesë Gjykatave në Kosovë që prej vitit 2022 dhe nisja e ngritjes së akuzave jo vetëm për krimet e kryera personalisht, por edhe për ato në përgjegjësi komanduese.
Deri më tani, vetëm një person është akuzuar për përgjegjësi komanduese, pasi ushtarë nën komandën e tij thuhet se kishin dhunuar një grua. Ndërsa, rreth gjysma e rasteve të trajtuara gjatë vitit të kaluar ishin gjykime në mungesë.
Gjykimi i Zhivojin Neshiqit
18 prill 1999
Zhivojin Neshiq, si pjesëtar i njësisë rezervë të forcave policore serbe, dyshohet se, në këtë datë, bashkë me dy persona të tjerë të paidentifikuar, ka dhunuar një grua shqiptare në një fshat të Vushtrrisë.
19 shtator 2023
Policia e Kosovës parashtron kallëzim penal kundër Neshiqit.
8 shkurt 2024
Prokurorja speciale, Florije Salihu Shamolli, nis hetimet.
4 mars 2024
Neshiq arrestohet nga Policia e Kosovës.
5 mars 2024
Gjyqtari Lutfi Shala aprovon kërkesën e PSRK-së për t’i caktuar Neshiqit masën prej një muaji paraburgim. Ai vazhdon të mbetet në paraburgim.
26 gusht 2024
Prokurorja Shamolli dorëzon aktakuzën ndaj Neshiqit në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
11 shtator 2024
Mbahet shqyrtimi fillestar i këtij rasti.
18 dhjetor 2024
Zhvillohet seanca ku pritej të mbaheshin deklarimet hyrëse nga palët. Seanca ishte e mbyllur për publikun.
Gjykimi i Momir Pantiqit
1998-1999
Momir Pantiq akuzohet për dhunime seksuale që dyshohet se ishin kryer nga forcat policore serbe nën komandën e tij gjatë kësaj periudhe.
Në burgun e Gjurakocit, një viktimë thuhet se ishte rrëmbyer dhe dhunuar pas marrjes në pyetje.
Ndërsa në stacionin policor të Istogut, një tjetër thuhet se ishte rrahur dhe dhunuar nga një polic serb në prani të pesë të tjerëve.
5 gusht 2023
Momir Pantiq, ish-polic serb, arrestohet në pikën kufitare të Merdares.
5 gusht 2023
Policia e Kosovës paraqet kallëzim penal ndaj Pantiqit në Prokurorinë Speciale.
5 gusht 2023
Prokuroria Speciale i kërkon Gjykatës Themelore në Prishtinë t’ia caktojë Pantiqit masën e paraburgimit.
6 gusht 2023
Gjyqtarja Valona Musliu Selimaj aprovon kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj. Ai vazhdon të mbetet në paraburgim.
6 gusht 2023
Mbrojtja e Pantiqit pretendon se ai nuk kishte kompetenca mbi veprimet e policisë në kohën e ngjarjeve dhe se aksionet ishin kryer nga persona të sjellë nga Serbia.
1 shtator 2024
Prokurori special, Ilir Morina, ngre aktakuzën kundër Pantiqit. Ai akuzohet se, nën përgjegjësi individuale dhe komanduese, ka kryer vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë shqiptare në Istog.
7 tetor 2024
Mbahet seanca e shqyrtimit fillestar, ku Pantiq deklarohet i pafajshëm.
Gjykimi në mungesë i G.V.
1998-1999
G.V. akuzohet se kishte dhunuar një grua shqiptare gjatë kësaj periudhe.
23 dhjetor 2024
Prokurorja speciale Florije Salihu Shamolli, ngre aktakuzën për gjykim në mungesë kundër G.V.
31 dhjetor 2024
Deri në fund të vitit 2024, aktakuza nuk ishte e qasshme për publikun.
Gjykimi në mungesë i Dejan Raçiqit
2 qershor 1999
Dejan Raçiq, si pjesëtar i forcave ushtarake rezervë të Serbisë, akuzohet se, në këtë datë, kishte dhunuar një grua shqiptare.
18 qershor 2018
Policia e Kosovës ngre kallëzim penal ndaj Raçiqit.
17 korrik 2018
Prokuroria Speciale nis hetimet.
26 korrik 2018
Policia njofton Prokurorinë Speciale se Raçiq nuk jeton në Kosovë, por në Serbi.
23 gusht 2018
Gjykata Themelore lëshon urdhër-arrest për Raçiqin.
30 gusht 2018
Prokuroria Speciale i kërkon sërish Policisë t’ia dorëzojë urdhër-arrestin Raçiqit, por Policia thotë se shtëpia e tij në Kosovë është e shkatërruar dhe ai nuk jeton më aty.
16 tetor 2018
Prokuroria Speciale paraqet kërkesë për letër-rreshtim ndërkombëtar.
23 tetor 2018
Gjykata lëshon urdhrin për letër-rreshtim ndërkombëtar.
4 dhjetor 2018
Prokuroria Speciale pezullon hetimet ndaj Raçiqit.
10 mars 2020
Raçiq arrestohet në Hungari, por dërgohet në Serbi. Ministria e Drejtësisë e Kosovës është njoftuar nga autoritetet hungareze që edhe kishte Serbia kërkesë për ekstradim lidhur me veprën e njëjtë penale.
17 maj 2022
Pas ndryshimeve ligjore që mundësojnë gjykimin në mungesë, Prokuroria Speciale rinis hetimet.
19 maj 2022
Kosova u kërkon autoriteteve të Serbisë dorëzimin e ftesës për Raçiqin për t’u marrë në pyetje.
15 gusht 2022
Serbia thotë se i ka dërguar ftesën Raçiqit. Ai nuk paraqitet në Prokurori Speciale për t’u marrë në pyetje.
20 shtator 2022
Prokuroria Speciale kërkon shpalljen e Raçiqit si person i kërkuar.
30 shtator 2022
Gjykata Themelore lshon urdhin për shpalljen në kërkim, për afatin prej gjashtë muajsh.
2 maj 2023
Prokurorja speciale, Drita Hajdari, ngre aktakuzë kundër Raçiqit.
21 shkurt 2024
Mbahet shqyrtimi fillestar i këtij rasti në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
17 maj 2024
Gjykata Themelore konfirmon aktakuzën, pasi hedh poshtë kërkesën e avokatit Osman Mehmeti për hedhjen e aktakuzës.
Gjykimi në mungesë i G.P.
1998-1999
G.P. akuzohet se, gjatë kohës së luftës në Kosovë, kishte dhunuar një burrë shqiptar.
19 maj 2023
Prokurorja speciale Drita Hajdari ngre aktakuzën kundër G.P. Aktakuza nuk është publike.
Gjykimi në mungesë i Ivica Rajkoviqit dhe Dragan Deniqit
Maj 1999
Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq, si pjesëtarë të forcave policore serbe, akuzohen se, ndër të tjera, kishin dhunuar një grua shqiptare në rajonin e Prishtinës.
7 shtator 2020
Prokuroria Speciale nis hetimet ndaj Deniqit.
29 shtator 2020
Prokuroria Speciale vendos për zgjerimin e hetimeve kundër Rajkoviqit.
29 shtator 2020
Prokuroria Speciale kërkon lëshimin e urdhër-arrestit për të pandehurit.
1 tetor 2020
Gjykata lëshon urdhër-arrest për Rajkoviqin dhe Deniqin.
19 tetor 2020
Policia e Kosovës njofton Prokurorinë se të akuzuarit nuk jetojnë më në Kosovë që nga fundi i luftës.
23 tetor 2020
Gjykata lëshon letër-rreshtim për arrestim vendor.
12 prill 2022
Gjykata lëshon sërish urdhër-arrest, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale.
19 maj 2022
Kosova i kërkon Serbisë t’ua dorëzojë Rajkoviqit dhe Deniqit ftesat për marrje në pyetje nga Prokuroria Speciale. Autoritetet e Serbisë nuk janë përgjigjur.
26 tetor 2022
Gjykata lëshon urdhin për shpalljen e Rajkoviqit dhe Deniqit si persona në kërkim.
14 shtator 2023
Prokurorja speciale, Drita Hajdari, ngre aktakuzë për gjykim në mungesë të Rajkoviqit dhe Deniqit.
20 nëntor 2024
Aktakuza dhe ftesat për të akuzuarit publikohen online.
5 shkurt 2025
Në mungesë të një avokateje, dështon nisja e gjykimit.
13 shkurt 2025
Mbahet seanca e shqyrtimit fillestar të këtij rasti.
Gjykimi në mungesë i Millan Jovanoviqit
Janar 1999
Millan Jovanoviq, si pjesëtar i forcave policore të Serbisë, akuzohet se gjatë këtij muaji kishte dhunuar një grua shqiptare.
19 korrik 2017
Policia e Kosovës paraqet kallëzim penal ndaj Jovanoviqit.
28 dhjetor 2017
Prokuroria Speciale nis hetimet.
8 shkurt 2018
Gjykata Themelore në Ferizaj lëshon urdhër-arrest.
27 mars 2018
Policia njofton Prokurorinë Speciale se Jovaniq nuk jeton më në adresën e tij në Ferizaj.
29 mars 2018
Gjykata Themelore në Ferizaj lëshon letër-rreshtim për arrest vendor të Jovanoviqit.
31 maj 2018
Gjykata lëshon urdhrin për letër-rreshtim ndërkombëtar.
6 qershor 2018
Prokuroria Speciale pezullon hetimet për shkak të mungesës së Jovanoviqit.
17 maj 2022
Pas ndryshimeve ligjore që mundësuan gjykimin në mungesë, Prokuroria Speciale rinis hetimet.
19 maj 2022
Kosova i kërkon Serbisë t’ia dorëzojë ftesën për marrjen në pyetje nga Prokuroria Speciale Jovanoviqit. Serbia nuk përgjigjet.
21 tetor 2022
Gjykata Themelore në Prishtinë lëshon urdhin për shpalljen në kërkim të Jovanoviqit.
2 tetor 2023
Prokurorja speciale, Drita Hajdari, ngre aktakuzën kundër Jovanoviqit.
27 maj 2024
Gjykata Themelore konfirmon aktakuzën, duke refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hedhjen poshtë të aktakuzës.
11 korrik 2024
Gjykata e Apelit konfirmon vendimin e Gjykatës Themelore.
21 shkurt 2024
Mbahet shqyrtimi fillestar i këtij rasti.
Gjykimi i Zoran Vukotiqit
22 maj 1999
Zoran Vukotiq akuzohet se, në këtë kohë, bashkë me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, dhunoi një grua shqiptare në Vushtrri.
4 tetor 2023
Prokurorja Speciale, Drita Hajdari, ngre atktauzën e pestë kundër Vukotiqit, këtë herë për dhunim seksual.
11 nëntor 2022
Gjykata Themelore dënon Vukotiqin me dhjetë vjet burgim.
15 shkurt 2023
Gjykata e Apelit rrit dënimin në 13 vjet burgim.
8 nëntor 2023
Gjykata Supreme konfirmon dënimin prej 13 vjetësh burgim.