Gurthyesit që thyejnë gjithçka para vetes

Në pesë vende të Ballkanit ka rreth 1.350 gurthyes - gati gjysma e të cilëve nuk kanë leje.

Kontribuuan: Sllavica Brajoviq, Doruntina Baliu, Bilana Nikollovska, Ermin Zatega dhe Gordana Qosiq

Kur natën e 4 tetorit, përmbytjet e rrëmbyeshme rrafshuan gati një vendbanim në jugperëndim të Bosnje dhe Hercegovinës, dolën në pah skena tmerri. Nëntëmbëdhjetë njerëz vdiqën, pasi dhjetëra tonë gurë nga një gurore pranë, u përplasën për shtëpi.

Vetëm 500 metra larg, në një kodër mbi Donja Jabllanicë, gurthyesi funksiononte për rreth njëzet vjet pa leje, sipas Kantonit Hercegovina-Neretva, në territorin e të cilit gjendet fshati i prekur.

Radio Evropa e Lirë konstatoi se gurthyesi i kontestuar kishte leje deri në vitin 2008, sipas rregulloreve të vjetra ligjore. Dy vjet më herët, Këshilli Komunal i Jabllanicës i dha mendim pozitiv për dhënien me koncesion. E, kur iu kërkuan sqarime të mëtejshme, autoritetet ndaluan të përgjigjen, duke thënë se po zhvillohet një “procedurë parahetimore”.

Pesë muaj më vonë, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë. Prokuroria kompetente nuk ka hapur ende ndonjë hetim zyrtar, duke thënë se masat parahetuese janë në zhvillim e sipër.

Donja Jabllanica pas tragjedisë. Tetor, 2024 (Foto: REL)

Të dhënat që konfirmoi Radio Evropa e Lirë, tregojnë se vetëm në Bosnje dhe Hercegovinë ka më shumë se 440 lokacione, ku ndodhen gurthyes të ndryshëm, legalë dhe ilegalë, më të vegjël apo më të mëdhenj për sa i përket sipërfaqes që zënë, si dhe të atillë që janë braktisur për një kohë të gjatë, apo që po zgjerohen me shpejtësi.

Siç tregojnë disa mjete, përmes të cilave mund të shikohen imazhet satelitore, gurthyes të tillë ka gjithsej rreth 1.350 në pesë vende të Ballkanit: Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Serbi.

Por, nga dokumentacioni që kanë në dispozicion institucionet kompetente, Radio Evropa e Lirë konstatoi se vetëm 711 gurthyes e nxjerrin dhe e përpunojnë gurin me leje.

Kjo do të thotë se vetëm gjysma e tyre i kanë dokumentet e kërkuara ligjërisht, që konfirmojnë se funksionojnë në mënyrë të sigurt, pa rrezikuar njerëzit, shtëpitë, infrastrukturën dhe mjedisin.

Gurthyes në Serbinë qendrore (Foto: Mirjana Jevtoviq)

Si erdhi deri këtu?

Bumi ndërtimor, i shoqëruar me një rritje të madhe të investimeve publike në infrastrukturën rrugore, i ndryshoi të gjitha vendet e Ballkanit gjatë 15 vjetëve të fundit.

Një prej pasojave më të mëdha ishte nxjerrja enorme e materialit ndërtimor nga gurthyesit - çfarë rezultoi me shpërthime, zhurmë dhe pluhur pranë shtëpive dhe arave, në periferi të kryeqyteteve të vendeve ballkanike.

Me autostradat e reja, peizazhet janë duke ndryshuar me shpejtësi. Ndërtuesit janë duke lënë pas kodra të zhveshura, shtretër të shkatërruar lumenjsh dhe dëme ekologjike ende të paimagjinueshme.

Në vitet e para, kompanitë që operonin nëpër gurore, operonin pothuajse pa kontroll dhe pa i respektuar ligjet mjedisore.

Donja Jabllanica është një shembull i frikshëm se çfarë pasojash mund të sjellë kjo situatë.

Një javë pas tragjedisë në tetor, programi evropian i vëzhgimit të Tokës, Copernicus, publikoi gjetjet e tij, sipas të cilave, përveçse humbën jetën 19 persona, u dëmtuan edhe 700 ndërtesa dhe u shkatërruan më shumë se 18 kilometra rrugë.

Në zonën e Jabllanicës dhe të Konjicës - në një sipërfaqe prej disa kilometrash katrorë - u shembën 96 hektarë mbeturina dhe shkëmbinj. Kjo është e barabartë me madhësinë e 192 stadiumeve të futbollit.

Donja Jabllanica pas tragjedisë. Tetor, 2024 (Foto: REL)

Harta, e cila u krijua pas disa muajsh kërkime nga Njësia e Forenzikës Digjitale e Radios Evropa e Lirë, është një përpjekje për të paraqitur në mënyrë sa më transparente situatën në një zonë, ku ka mungesë kontrolli nga institucionet shtetërore, të dhëna të decentralizuara dhe shpesh të vjetruara.

Operacionet e gurthyesve, në anën tjetër, mbeten të lidhura drejtpërdrejt me biznese miliona dollarëshe në pesë vende të Ballkanit.

Si erdhëm deri te të dhënat?

Radio Evropa e Lirë i identifikoi gurthyesit duke përdorur një nga mjetet më të avancuara të inteligjencës artificiale për gjeolokacion, “Earth Index”, i cili, bazuar në një seri programesh inovative, identifikon modelet hapësinore në imazhet satelitore. Mjeti, me një shkallë të caktuar parashikimi, i identifikon të gjitha vendndodhjet që kanë të njëjtën strukturë relievore.

“Earth Index” përdoret për t’i identifikuar ndryshimet në reliev, të shkaktuara nga gërmimi i gurëve.

Për mbledhjen dhe verifikimin e mëtejshëm të të dhënave, REL-i përdori edhe “Google Earth Studio” dhe imazhe historike të lokacioneve, si “Google Street View”, dhe mjetin “Mappilary”.

Lokacione të shumta u përjashtuan, sepse për një nga qasjet bazë metodologjike ishte ekzistenca e ekskavatorëve, kamionëve dhe impianteve për ndarjen dhe thërrmimin e shkëmbinjve, që dukeshin nga imazhet e disponueshme satelitore ose nga rrugët pranë.

Disa lokacione mbetën të shënuara, sepse thellësia e gërmimit prej disa dhjetëra metrash, tregonte se aty dikur nxirreshin sasi të mëdha gurësh, ndërsa disa mbetën të shënuara, meqë dukeshin mbetjet e gurëve të grumbulluar.

Poligonet ku ndodhen gurthyesit legalë në hartë, janë krijuar në bazë të të dhënave zyrtare nga institucionet shtetërore të secilit vend, në bazë të kontratave me koncesionarët, të disponueshme publikisht, dhe në bazë të studimeve për mbrojtjen e mjedisit, që janë pjesë përbërëse e dokumenteve të koncesionit.

Këto të dhëna i paraqesim në mënyrën se si ruhen në libra, pavarësisht se disa lokacione duken të parregullta, ose mund të tregojnë faktin se institucionet shtetërore nuk mbajnë të dhëna plotësisht të sakta për koordinatat e hapësirave, ku lejohet gërmimi i gurëve.

Gurthyesit - Ballkani Perëndimor

Poligonet e gjelbra në hartë paraqesin fusha ku, sipas të dhënave zyrtare shtetërore, lejohet nxjerrja e gurit. Duke klikuar në këto poligone, mund të shihen të dhënat për lejet, vitin e dhënies së tyre dhe koncesionarin. Me pikat e kuqe janë të shënuara të gjitha vendet që mund të identifikohen me satelit si gurthyes, por për të cilat nuk ka leje. Pikat me ngjyrë portokalli janë pozicione të identifikuara duke përdorur mjete digjitale, por për to nuk është e mundur të bëhet dallimi midis atyre legale dhe ilegale, sepse kantonet në Bosnje dhe Hercegovinë nuk i dhanë REL-it të dhëna për lejet.

Harta para jush është e hapur dhe do të përditësohet dhe ndryshohet në përputhje me imazhet e disponueshme satelitore dhe të dhëna të tjera publike. Nëse keni të dhëna që mund të kontribuojnë në saktësinë e hartës, mund të na shkruani në projectquarries@rferl.org.


Serbia

Kur male të tëra pësojnë për shkak të bumit të investimeve

Pluhuri pranë gurthyesit "Sllovac". Shkurt, 2025 (Foto: Jellena Jankoviq)

Dhjetëra kamionë të ngarkuar me gurë kalojnë vazhdimisht përgjatë rrugës së vjetër që çon nga Llajkovaci në Valevo, në pjesën qendrore-perëndimore të Serbisë. Një re e madhe pluhuri mund të shihet edhe dy kilometra para gurthyesit “Sllovac”. Dita është e vranët, pa reshje, por pylli përreth duket sikur është i mbuluar me borë. Të bardha duken edhe çatitë e disa shtëpive dhe një restoranti pranë gurthyesit, i cili ka zhdukur një kodër të tërë, viteve të fundit.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Minierave të Serbisë, leja e operimit është lëshuar në vitin 2007, ndërsa me nxjerrjen e gurëve merret kompania “Granit Peshçar”.

Zhdukja për 10 vjet e një kodre të tërë nga gurthyesi "Sllovac". Në të djathtë është një fotografi e vitit 2014, ndërsa në të majtë është e vitit 2024. (Google Earth Studio)

Dokumentacioni i siguruar nga Radio Evropa e Lirë, në bazë të Ligjit për qasje në informacion, tregon se gurthyesit “Sllovac” i është bërë një inspektim në vitin 2019. Inspektori vizitoi tri shtëpi në afërsi të tij dhe vuri në dukje se “pothuajse në të gjitha muret ndarëse dhe në muret e jashtme të objekteve, ka të çara”.

Vija deri ku ka leje dhe zona e përdorur jashtë lejes nga "Sllovac" (ArGis)

Në zonën e gurthyesit “Sllovac”, sipas pamjeve të disponueshme satelitore, kufijtë e lejes janë shkelur aq shumë, saqë jashtë poligonit ka deri në 17 hektarë tokë gërmime.

Ministria e Minierave nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se përse është rritur sipërfaqja e gërmimeve dhe përse nuk ka të dhëna për to në regjistrin e ministrisë.

Pyetjeve të REL-it nuk iu përgjigj as kompania “Granit Peshçar”.

Në raportin e inspektimit të vitit 2019, të cilin Ministria e Minierave ia dha Radios Evropa e Lirë, citohet një deklaratë e drejtorit të përgjithshëm të kompanisë “Granit Peshçar”, Dragan Niniq, ku thuhet se gërmimi i gurëve bëhet nga “lokaliteti 6 i marrë me hua” - lokacion i përcaktuar në bazë të projektit për ndërtimin e autostradës Llajkovac-Lig.

Ministria nuk i dha REL-it informacione për këtë licencë.

“Granit Peshçar", përkatësisht pronari përfundimtar i kompanisë “Nukleus”, ka qenë bashkë me kompaninë “C&LC Group” pjesë e konsorciumit për ndërtimin e Korridorit 11 në Serbi.

Anëtare e tretë e konsorciumit ka qenë kompania “Inkop”. “Inkop” është në pronësi të Zvonko dhe Zharko Vesellinoviqit - biznesmenë nga Kosova, të cilët janë nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe krim të organizuar ndërkombëtar.

Në mesin e pronarëve deri në vitin 2023 ka qenë edhe Millan Radoiçiq. Radoiçiq është ish-nënkryetari i Listës Serbe - partisë më të madhe serbe në Kosovë - i cili ka marrë publikisht përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë.

Lidhja mes tri kompanive nga konsorciumi për ndërtimin e Korridorit 11 (Grafika: REL)

Për hapjen e një gurthyesi në Serbi kërkohet kryerja e disa procedurave ligjore dhe marrja e lejeve të nevojshme, të cilat rregullohen me Ligjin për miniera dhe kërkime gjeologjike.

Guri klasifikohet si lëndë e parë minerale, ose pasuri natyrore në pronësi të shtetit të Serbisë. Ndaj, kompanitë që e shfrytëzojnë atë, duhet t’i paguajnë shtetit një tarifë për përdorimin e burimeve dhe rezervave minerale. Kompensimi i njohur si ‘qiraja e minierave’ paguhet varësisht sasisë së materialit që nxirret dhe shuma e tarifës përcaktohet me rregullore nga Qeveria e Serbisë.

Sipas përgjigjes së Ministrisë së Minierave për Radion Evropa e Lirë, informacioni për këto pagesa është “sekret”.


Mali i Zi

Kur një studim mjedisor shkruhet në atë mënyrë që "nënvlerëson inteligjencën"

Hyrja në fshatin Bokovë, ku ishte planifikuar ndërtimi i gurthyesit "Milloshev kërsh" (Foto: REL)

“Ata mendojnë se kemi erëra të forta vetëm një ditë në dimër. Këtu, rregullisht, dhe jo vetëm në dimër, fryn era e jugut aq fort, saqë i heq tullat nga çatitë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Nikolla Llatkoviq, banor i fshatit Gjinoviqi në komunën e Cetinjes në Mal të Zi.

Në vitin 2023, banorët e fshatrave Bokovë, Gjinoviqi dhe Kosijeri janë organizuar për të parandaluar hapjen e një gurthyesi pranë pronave të tyre.

"Dikush ka bërë përpjekje të na mashtrojë, të na sjellë para aktit të kryer. Sikur ne të mos ekzistonim!", thotë Llatkoviq.

Sipas tij, ata kanë pasur vetëm një ditë kohë për të marrë pjesë në një forum publik për një studim mjedisor, në fund të gushtit të vitit 2023, sepse për planet për hapjen e gurthyesit nuk kanë qenë as të informuar.

Hapja e një gurthyesi në Mal të Zi kushtëzohet me marrjen e një koncesioni, që ndahet nga Qeveria e Malit të Zi përmes tenderit publik ose në mënyrë të drejtpërdrejtë. Procedura e koncesionit është e rregulluar me Ligjin për koncesionet dhe Ligjin për minierat. Për shfrytëzimin e gurit kërkohen: studim fizibiliteti, leje mjedisore dhe miratim nga pushteti vendor.

Lokacioni "Milloshev kërsh" ku planifikohet gërmimi dhe thërmimi i gurëve (Foto: REL)

Procesi i dhënies së koncesionit filloi disa vite më parë dhe, në vitin 2022, Qeveria e Malit të Zi nënshkroi një marrëveshje për dhënien e koncesionit për ndërtimin e një gurthyesi kompanisë “Inzhenjering Put DOO” - Podgorica.

Banorët lokalë u përfshinë vetëm gjatë dëgjimit publik për Studimin e vlerësimit të ndikimit në mjedis.

“Ai studim është aq i keq, me një nënvlerësim të tillë të inteligjencës, saqë jemi pa fjalë”, thotë Llatkoviq.

Ky studim, i porositur nga investitori, në disa pjesë nuk përmban të dhëna të sakta as për klimën dhe as për florën e kësaj pjese të Malit të Zi.

“Kemi zbuluar se studimi është plot me gabime”, thotë Llatkoviq.

Kapitulli për klimën është shkruar në bazë të të dhënave për Cetinjen, e cila është 100-200 metra mbi nivelin e detit dhe ka dimër më të ftohtë - me më shumë borë dhe më pak erë.

Situata është e ngjashme edhe me vlerësimin e ndikimit në bimë, i cili është bërë në bazë të botimit "Flora e Llovqenit I", nga viti 1970. Ky studim i 50 vjetëve më parë nuk i referohet jetës bimore të kësaj zone, sepse "Milloshev kërsh" është me kilometra larg brezit të Parkut Kombëtar të Llovqenit dhe, sërish, në një lartësi dukshëm më të ulët.

Fragment nga Studimi i vlerësimit të ndikimit në mjedis për "Milloshev kërsh"-in. (Grafika: REL)

Pas disa muajsh beteje nga banorët lokalë, më 27 tetor të vitit 2023, Kuvendi lokal i Cetinjes miratoi njëzëri Iniciativën lokale për t'i dhënë fund marrëveshjes së koncesionit. Pas analizimit të dhjetëra ankesave nga vendasit, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit e hodhi poshtë studimin, ose më saktë e ktheu atë për “rishikim”.

Në qershor të vitit 2024, koncesionarit iu dha një afat deri në 365 ditë për t'i eliminuar të gjitha mangësitë në studim. Vendasit thonë se deri në fillim të muajit shkurt nuk po ndodhte asgjë në terren, ndërsa duhej të bëheshin matje të detyrueshme të temperaturës, lagështisë, presionit të ajrit, erërave dhe reshjeve.

Përfaqësuesit e kompanisë "Inzhinjering put" nuk iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me përgatitjen e dokumentacionit dhe planet e mëtejshme.

Përndryshe, në planin shtetëror për shfrytëzimin e lëndëve të para minerale në Mal të Zi, për periudhën 2019-2028, thuhet se guri arkitektonik, ndërtimor apo dekorativ është lënda e parë minerale jometalike më e rëndësishme në Mal të Zi.

“Të gjitha rezervat e mëparshme të kësaj lënde të parë minerale janë identifikuar në shkëmbinjtë karbonatikë, që përbëjnë rreth 70% të territorit të Malit të Zi”, thuhet në dokument.

Sipas ligjit, Komisioni i Koncesioneve është përgjegjës për t'u kujdesur për koncesionet. Ai duhet të mbajë shënime për të gjitha kontratat dhe t'i publikojë ato në faqen e internetit.

Faqja e internetit e Komisionit të Koncesioneve nuk është e disponueshme. (Grafika REL)

Megjithatë, faqja e internetit e Komisionit të Koncesioneve në Mal të Zi është aktualisht në shitje, pasi mirëmbajtja e domenit nuk është paguar. Sipas të dhënave të Webarchive, faqja ishte e qasshme në qershor të vitit 2024.


Kosova

Sa është "toleranca zero" për gurthyesit ilegalë?

"Zero tolerancë ndaj gurthyesve ilegalë. Qeveria e Kosovës është e vendosur për të vënë rend në operimin e gurthyesve anekënd vendit".

Këtë e tha në mars të vitit 2024 ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, pas një inspektimi në terren në rajonin e Prizrenit.

"Koha kur jeta dhe shëndeti i qytetarëve të Kosovës rrezikoheshin nga operatorë dhe kompani të ndryshme, të cilat vepronin në mënyrë ilegale, apo duke tejkaluar kompetencat e tyre, ka kaluar", shkroi Aliu në Facebook.

Facebook

Një vit më vonë, në Kosovë janë të dukshme gjurmët e shfrytëzimit të paligjshëm të gurit, tejkalimi i kufijve të lejeve, gurthyesit e braktisur që dikur përdoreshin...

Që një gurthyes të funksionojë ligjërisht, duhen një sërë miratimesh administrative dhe dy leje më të rëndësishme. Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) është përgjegjës për dhënien e licencave dhe mbikëqyrjen e funksionimit të gurthyesve. Ministria e Mjedisit lëshon leje mjedisore që mundësojnë funksionimin e ligjshëm të tyre.

Të dhënat nga këto dy institucione, prej vitesh, nuk përputhen. Radio Evropa e Lirë gjeti të dhëna për 95 gurthyes të ligjshëm në bazën e të dhënave të KPMM-së, ndërsa në përgjigjen e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit thuhet se janë lëshuar 115 leje operimi.

Gurthyes afër Ferizajt (Foto: Ibrahim Berisha)

“Mund të thuhet se nuk ka pothuajse asnjë kompani që merret me eksploatim krejtësisht ilegal të gurit”, thotë për Radion Evropa e Lirë Elbasan Shala, inspektor në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Radio Evropa e Lirë: Në bazë të vëzhgimeve satelitore, ne kemi identifikuar shumë gurthyes në lokacione që nuk kanë leje.

Elbasan Shala: Mendoj se shumica e bizneseve që merren me eksploatim, janë të legalizuara. Vështirësitë që kemi me këtë industri, lidhen kryesisht me pluhurin që lëshojnë.

Gjithashtu, kur gurthyesit mbarojnë punën e tyre, rehabilitimi i zonës ku kanë punuar, ndonjëherë nuk është i kënaqshëm. Sidomos kur kompanitë përfundojnë në falimentim.

Gurthyes i braktisur afër Gllogocit (Foto: Ibrahim Berisha)

Radio Evropa e Lirë: Sa inspektime janë kryer vitin e kaluar? Cilat ishin rezultatet e tyre?

Elbasan Shala: Vitin e kaluar janë bërë rreth 40 inspektime dhe problemet më të shpeshta me këto subjekte - nga aspekti administrativ - kanë të bëjnë me mungesën e lejeve mjedisore. Kërkesat e tyre për licenca shpesh refuzohen, për shkak se KPMM-ja nuk u ka rinovuar licencat.

Ky institucion nuk ka pasur bord funksional nga viti 2021 deri në vitin 2024.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se ky problem është i zgjidhshëm?

Elbasan Shala: Nuk mendoj se zgjidhet 100 për qind, por mendoj se çështja është nën menaxhim të mirë.

Radio Evropa e Lirë: Pothuajse të njëjtën situatë e shohim në të gjithë Ballkanin. A mendoni se kemi mësuar ndonjë gjë pas tragjedisë në Jabllanicë të Bosnje e Hercegovinës?

Elbasan Shala: Fatmirësisht, ne nuk jemi përballur me një rrezik të tillë në Kosovë, por mendoj se duhet të jemi shumë të kujdesshëm, marrë parasysh ndryshimet klimatike të viteve të fundit.

Në vitin 2021, Ministria e Mjedisit e Kosovës ka vendosur gjithashtu një moratorium dyvjeçar mbi lejet e reja mjedisore për gurthyesit.

Më parë, ministria e njëjtë ka përgatitur një raport për pasojat e shfrytëzimit të gurit në mjedis. Është konstatuar se kompanitë, pas përfundimit të punimeve të tyre, nuk e rindërtojnë vendin ku janë nxjerrë gurët, por i lënë gropat hapur.

Në raport, mes tjerash, thuhet se sipërfaqja e përgjithshme e degraduar nga kjo industri është rreth 13 mijë hektarë, që është më shumë se një për qind e territorit të Kosovës.

Gurthyes pranë Suharekës (Foto: Ibrahim Berisha)


Bosnje dhe Hercegovina

Mes tragjedisë dhe dokumentacionit të parregullt për koncesionet e gurthyesve

"Për çdo gurthyes që funksionon legalisht në Bosnje e Hercegovinë, ka edhe dy të tjerë 'të egër'", tha kryeinspektori teknik i Federatës së Bosnje e Hercegovinës, Miro Mehmedbashiq, qysh në vitin 2012.

Në kantonin Una-Sana, ku ka më së shumti gurthyes, është konstatuar atëkohë se prej 84 gurthyesve, 59 punonin ilegalisht. Se si është situata më shumë se një dekadë më vonë, është thuajse e pamundur të përcaktohet, sepse Bosnje dhe Hercegovina nuk ka një regjistrim të unifikuar të gurthyesve që funksionojnë me të gjitha lejet.

Të dhëna për koordinatat ku kompanitë lejohen të nxjerrin gurë, ka vetëm Republika Sërpska, e cila e ka të publikuar Regjistrin e Licencave të Lëshuara në faqen zyrtare të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave të Republikës Sërpska.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, juridiksioni mbi sektorin e minierave është i ndarë ndërmjet entiteteve, kantoneve dhe komunave. Përkundër përpjekjeve prej dy muajsh, gazetarët e Radios Evropa e Lirë nuk kanë mundur të sigurojnë të dhëna nga institucionet në Federatën e Bosnje e Hercegovinës për vendndodhjet e sakta ku janë lëshuar lejet për shfrytëzimin e gurëve.

Gurthyesi "Bijella", para dhe pas shembjes (Google Earth Studio)

Të dhëna jo të plota për vendndodhjet janë siguruar nga Ministria federale e Ekonomisë. Të dhënat për kontratat me koncesionarët për Kantonin Hercegovina-Neretva mund të gjenden në ueb-faqen e tij zyrtare. Nëntë kantone, edhe pas pyetjeve të shumta, nuk kanë ofruar të dhëna për vendndodhjen e gurthyesve legalë.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar edhe Ministrinë federale të Mjedisit dhe Turizmit, e cila ka thënë se që nga ndryshimet e ligjit, më 2020, kjo ministri ka lëshuar leje për gurthyes dhe miniera të hapura në lokacione me sipërfaqe mbi 25 hektarë.

Se sa i decentralizuar është dokumentacioni, tregojnë të dhënat se nga viti 2020, 160 gurthyesve u janë dhënë "leje mjedisore", ndërsa tani, informacionet e plota mund të përcaktohen vetëm për 31 raste.

Gurthyes afër Kakanjit (Foto: REL)

Pas vdekjes së 19 personave nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e gurëve në Jabllanicë, tetorin e vitit të kaluar, kryeministri i Federatës, Nermin Nikshiq, tha se të dhënat për gurthyesin mbi këtë rajon - që funksiononte në tokë shtetërore për më shumë se 20 vjet - nuk ekzistonin në të dhënat e ministrisë kompetente federale.

Autoritetet nuk e dinin nëse dhe nën çfarë masash kishte funksionuar gurthyesi gjatë dhjetë vjetëve të fundit.

Organizata Transparency International ka vite që paralajmëron për mungesën e regjistrit të koncesionarëve, si dhe tolerimin e shfrytëzimit të burimeve natyrore pa kontratë të nënshkruar.

Në raportin e saj të fundit, në pjesën që lidhet me korrupsionin e nivelit të lartë, kjo organizatë thekson se "në Bosnje e Hercegovinë jepen koncesione nga të cilat shteti gjeneron të ardhura modeste, në krahasim me burimet e konsiderueshme".

"Përfitimet i korrin individë, të cilët për shkak të ligjeve të dobëta dhe punës jotransparente të autoriteteve, e shmangin pagesën e detyrimeve dhe arrijnë të zotërojnë burime shtetërore, në dëm të interesit publik", thuhet në raport.

Për përmasat e kontrolleve tregon edhe një shkresë e Ministrisë federale të Mjedisit, nga maji i vitit 2024, e cila është dërguar në përgjigje të një pyetjeje parlamentare në Kuvend, lidhur me monitorimin e situatës në gurthyes:

"Kjo ministri lëshon leje mjedisore për një periudhë pesëvjeçare, e cila fillon nga data e dorëzimit të vendimit te pala. Ministria nuk ka detyrim ligjor për të monitoruar skadimin e lejes mjedisore, as nuk ka detyrim për të monitoruar nëse subjekti që i nënshtrohet lejes mjedisore, ka paraqitur kërkesë për rinovimin e saj pas pesë vjetësh. Po ashtu, nuk ka asnjë detyrim për të monitoruar nëse një kompani e ka ndërprerë veprimtarinë.".

Donja Jabllanica pas shembjes së gurthyesit (Foto: REL)


Maqedonia e Veriut

Fushat për nxjerrjen e gurëve në rreth 10 mijë hektarë

Gurthyes afër Govrlevës (Foto: Goran Stefanoviq)

"Mendoj se ka rreth 14 gurthyes, jo këtu në këtë fshat, por përreth. Nga Govrleva deri në Pusta Breznicë janë rreth 14 gurthyes", thotë për Radion Evropa e Lirë Borçe Spasovski, banor i fshatit Dollno Sonje.

Atje - rreth njëzet kilometra nga qendra e Shkupit - shtrihet fshati i braktisur, Govrlevo - një nga rajonet më të pastra nën malin Vodno.

Kjo zonë, në të kaluarën, ishte e njohur nga vendasit për gërmimet arkeologjike nga periudha neolitike, por e tashmja është ndryshe.

Çdo vit, në këtë zonë bëhen gjithnjë e më shumë gërmime gurësh.

Gurthyesi më i madh i përket “Cementarnica Usje”, që është një nga fabrikat më të njohura për prodhimin e çimentos dhe materialeve ndërtimore në vend.

Gurthyes rreth 20 kilometra larg Shkupit (Foto: Goran Stefanoviq)

Govrleva është një fshat pothuajse i braktisur - me pak banorë të mbetur, por, njëherësh, më i afërti me gurthyesin. Pluhuri dhe zhurma atje janë një dukuri e përditshme.

Rajoni, dikur, ka qenë i njohur për kultivimin e dredhëzave dhe qershive, por sot vetëm një pjesë e vogël e popullsisë siguron jetesën prej këtyre kulturave.

Kështu ka ndodhur edhe me fshatin fqinj, Dollno Sonje, i cili ka rreth 600 banorë.

"Ky është një problem i madh për ne. Këtu ka shumë gurthyes. Po na i shkatërrojnë rrugët vazhdimisht. Bëhet pluhur, por çfarë të bëjmë ne?", thotë Borçe Spasovski, duke shtuar se, më herët, ka pasur shumë më tepër minime, që i kanë dëmtuar edhe shtëpitë përreth.

"Çfarë mund të bësh, duhet të jetosh... Ajri nuk është i mirë, është i ndotur... Përndryshe, jemi në një lokacion të shkëlqyeshëm për nga lartësia. Verës ka shumë pluhur", thotë bashkëvendësi i tij, Srebre Mitrevski.

Sipas planeve, zona rreth fshatit Govrlevo, po ashtu, pritet të përjetojë zgjerim edhe më të madh, kur bëhet fjalë për gurthyesit. Janë dhënë dhjetë koncesione dhe sipërfaqja që do të mbulojnë, arrin deri në 645 hektarë.

Dhjetë koncesione dhe zonat e tyre rreth fshatit Govrlevo (ArcGis map)

Sipas regjistrit të lejeve, më shumë se 160 gurthyes mund të zgjerohen në një sipërfaqe deri në 9.822 hektarë.

Lëshimi i koncesioneve për shfrytëzimin e resurseve minerale - përfshirë gurthyesit - në Maqedoninë e Veriut rregullohet me Ligjin për burimet minerale.

Lëshimit të një koncesioni i paraprin marrja e lejes për kërkime gjeologjike, pëlqimi për vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe miratimi nga autoritetet vendore. Koncesionari është i detyruar të paguajë një tarifë për shfrytëzimin.

Megjithatë, ajo që shkruhet në ligj, është vështirë të zbatohet në praktikë, për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme inspektuese.

Këtë e ka theksuar edhe Institucioni Shtetëror i Auditimit i Maqedonisë së Veriut në raportin e vitit 2022 për shfrytëzimin e resurseve minerale. Auditori konstatoi se problemet më të mëdha janë në sektorin e gurthyesve.

Raporti ka treguar gjithashtu se në periudhën 2016-2020, shteti ka grumbulluar dukshëm më pak para seç pritej nga koncesionarët për përdorimin e burimeve minerale.

Për shembull, nga 29 koncesionarë mermeri, shteti ka marrë vetëm 1.7 milion euro, që nënkupton 1% të të ardhurave që këta koncesionarë realizojnë nga shitja e mermerit.


Pluhuri pranë gurthyesit "Sllovac". Shkurt, 2025 (Foto: Jellena Jankoviq)

Zhdukja për 10 vjet e një kodre të tërë nga gurthyesi "Sllovac". Në të djathtë është një fotografi e vitit 2014, ndërsa në të majtë është e vitit 2024. (Google Earth Studio)

Vija deri ku ka leje dhe zona e përdorur jashtë lejes nga "Sllovac" (ArGis)

Lidhja mes tri kompanive nga konsorciumi për ndërtimin e Korridorit 11 (Grafika: REL)

Hyrja në fshatin Bokovë, ku ishte planifikuar ndërtimi i gurthyesit "Milloshev kërsh" (Foto: REL)

Fragment nga Studimi i vlerësimit të ndikimit në mjedis për "Milloshev kërsh"-in. (Grafika: REL)

Faqja e internetit e Komisionit të Koncesioneve nuk është e disponueshme. (Grafika REL)

Gurthyes afër Ferizajt (Foto: Ibrahim Berisha)

Gurthyes i braktisur afër Gllogocit (Foto: Ibrahim Berisha)

Gurthyes pranë Suharekës (Foto: Ibrahim Berisha)

Gurthyesi "Bijella", para dhe pas shembjes (Google Earth Studio)

Gurthyes afër Kakanjit (Foto: REL)

Donja Jabllanica pas shembjes së gurthyesit (Foto: REL)

Gurthyes afër Govrlevës (Foto: Goran Stefanoviq)

Dhjetë koncesione dhe zonat e tyre rreth fshatit Govrlevo (ArcGis map)