Fytyrat e Reçakut

Në fshatin Reçak, rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, më 15 janar të vitit 1999. Numri më i madh i viktimave u gjet në Kodrën e Bebushit, ndërsa të vrarë kishte edhe në pjesë të tjera të fshatit.

Harta më poshtë tregon gjendjen e fshatit sipas të dhënave të Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës. Vendet e krimeve janë të përcaktuara me numrat nga 1 deri në 6.  

Kush janë viktimat? 

Këta janë të vrarët dhe vendet ku u gjetën trupat e tyre.

Bajram Mehmeti - 26.08.1945

Hanumshahe Mehmeti - 10.10.1977

Rizah Beqiri - 10.05.1946

Halim Beqiri - 24.07.1985

Zenel Beqiri - 12.09.1978

Ahmet Jakupi - 28.02.1942

Xheladin Jakupi - 05.04.1982

Mehmet Jakupi - 17.08.1955

Eshref Jakupi - 11.03.1945

Haqif Hysenaj - 10.07.1949

Hasan Beqiri - 01.07.1983

Ahmet Mustafa - 01.01.1930

Skënder Halili - 17.12.1968

Banush Kameri - 09.04.1936

Hajriz Brahimi - 15.04.1937

Murtez Imeri - 20.05.1979

Muhamet Mustafa - 15.01.1978

Bajram Xheladini - 24.02.1964

Njazi Zymeri - 10.07.1954

Ajet Brahimi - 03.02.1959

Mustafë Asllani - I lindur në vitin 1968

Halit Shaqiri - I lindur në vitin 1940

Hakip Imeri - 26.08.1966

Nazmi Imeri – 13.06.1917

Bujar Hajrizi - 17.02.1979

Mufail Hajrizi – 01.02.1969

Mehmet Ismajli - 14.05.1955

Sheremet Syla - 05.11.1962

Shyqeri Syla - 01.01.1938

Arif Metushi - 25.09.1946

Sabri Syla - 16.06.1939

Haki Metushi - 10.10.1937

Sahide Metushi - Viti i lindjes 1938

Fatmir Ramadani - 27.05.1961

Salih Ramadani - 26.04.1974

Nexhat Ramadani - 02.10.1978

Jashar Salihu - 08.09.1974

Raif Salihu - 03.12.1978

Shukri Salihu - 02.06.1980

Sadik Osmani - 21.05.1954

Lutfi Bilalli - 15.07.1957

Bajrush Shabani - 01.11.1976

Ragip Bajrami - 08.11.1964

Avdyl Sejdiu - 01.01.1900

Shënim

Bajram Mehmeti - 26.08.1945   

Përpos shkollës katërvjeçare, Bajrami nuk kishte ndonjë shkollim tjetër. Deri në vitin 1990 punoi në Fabrikën e Gypave në Ferizaj. U ekzekutua gjatë përpjekjeve për t’u larguar nga sulmi i forcave paramilitare serbe. Fillimisht u plagos djali i tij, Elmiu, pastaj u vra Bajrami dhe vajza e tij, Hanumshahja. Elmiu mbijetoi.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Hanumshahe Mehmeti - 10.10.1977   

Hanumshahja ishte 22 vjeçe ditën kur u vra. U vra në përpjekje për të ndihmuar babanë dhe vëllain e plagosur.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Rizah Beqiri - 10.05.1946

Raizahu u vra në përpjekje për t’u ikur forcave paramilitare serbe. Ai po tentonte që të fshihej në pyll së bashku me djalin e tij, Halimin, 14 vjeç. Që të dy u ekzekutuan. Rizahu kishte migruar në shtetet perëndimore dhe pak kohë para fillimit të luftës në Kosovë, sipas rrëfimit të familjarëve, ishte kthyer në vendlindje.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Halim Beqiri - 24.07.1985   

Halimi ishte 14 vjeç kur u vra në pyllin afër shtëpisë së tij. Sipas familjarëve, në momentin kur u vra, ishte duke ikur në drejtim të pyllit me babanë e tij, Rizah Beqirin, i cili po ashtu u vra në të njëjtin vend.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Zenel Beqiri - 12.09.1978   

Zeneli ishte 21 vjeç ditën kur e vra. Mëngjesin e 15 janarit, 1999, ishte në shtëpi me familjen e tij. Pas fillimit të të shtënave, Zeneli u largua drejt pyllit të fshatit, ku u ekzekutua. Trupi i tij u gjet në hyrje të pyllit. Kishte të përfunduar shkollën e mesme. Ndihmonte familjen me punët në bujqësi dhe blegtori.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Nuk ka të dhëna  

Ahmet Jakupi - 28.02.1942   

Nuk kishte të mbaruar ndonjë shkollë. Tërë jetën e kishte kaluar në fshatin Reçak. Merrej me bujqësi dhe blegtori. Në momentin e ekzekutimit ishte së bashku me djalin e tij 17 vjeç, Xheladinin. Trupi i Ahmetit u gjet i ekzekutuar në Kodrën e Bebushit mbi Reçak.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Xheladin Jakupi - 05.04.1982   

Ditën kur u vra ishte 17 vjeç. Ishte ende nxënës i shkollës së mesme. Në përpjekje për t’u ikur forcave serbe, u ekzekutua në Kodrën e Bebushit në Reçak.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Mehmet Jakupi - 17.08.1955   

Trupi i ekzekutuar i Mehmetit u gjet me trupat e tjerë të masakruar në Kodrën e Bebushit, mbi fshatin Reçak. Përpos shkollës fillore, nuk kishte ndonjë shkollim të lartë. Merrej me punë të shtëpisë, përfshirë aktivitete bujqësore.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Nuk ka të dhëna  

Eshref Jakupi - 11.03.1945   

Trupi i Eshrefit u gjet në Kodrën e Bebushit në Reçak. Nuk kishte ndonjë profesion të caktuar. Disa vite para luftës thuhet se ka jetuar në Perëndim, por ishte kthyer në fshatin e tij të lindjes, ku edhe u vra.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Nuk ka të dhëna  

Haqif Hysenaj - 10.07.1949   

Haqifi ishte nga fshati Petrovë. Kishte të mbaruar Shkollën e Mesme Teknike në Ferizaj, si dhe kualifikime të tjera në Zagreb të Kroacisë. Deri në fillim të luftës së viteve ‘98-99 në Kosovë, kishte punuar në Fabrikën e Gypave në Ferizaj. Një natë para masakrës së Reçakut, Haiqfi kishte shkuar për të vizituar disa familjarë në këtë fshat. Trupi i tij u gjet i ekzekutuar me trupat e tjerë në lokacionin e njohur si Kodra e Bebushit, mbi fshatin Reçak.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Hasan Beqiri - 01.07.1983   

Nuk ka të dhëna  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Ahmet Mustafa - 01.01.1930   

Nuk kishte ndonjë shkollim apo profesion të caktuar. Merrej me bujqësi dhe blegtori. U ekzekutua në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Reçak.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Skënder Halili - 17.12.1968   

Skënderi u vra nga të shtënat me armë zjarri në një nga oborret e fqinjëve të tij. Kishte të kryer shkollën e mesme dhe kujdesej për dy prindërit e tij që ishin në moshë.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Banush Kameri - 09.04.1936   

Jetoi gjithë jetën në Reçak. Me profesion ishte bujk. Pas ekzekutimit në hyrje të fshatit, atij iu këput koka. Pamjet e trupit të Banushit pa kokë shihen në video të publikuara nga mediat ndërkombëtare, një ditë pas masakrës.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Hajriz Brahimi - 15.04.1937   

Nuk ka të dhëna  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Murtez Imeri - 20.05.1979   

Murtezi kishte përfunduar shkollën e mesme në Shtime. Dëshmitarët thonë se kur filluan ekzekutimet, Murtezi ishte ndarë nga familja, duke tentuar që të fshihej në pyllin e fshatit. Trupi i Murtezit u gjet në Kodrën e Bebushit mbi fshatin Reçak. Ishte 20 vjeç kur u ekzekutua.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Muhamet Mustafa - 15.01.1978   

Pas përfundimit të shkollës së mesme, Muhameti ndihmonte babanë e tij në punët e bujqësisë. Trupi i pajetë i Muhametit u gjet në Kodrën e Bebushit mbi fshatin Reçak. Ishte 21 vjeç kur u vra.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Bajram Xheladini - 24.02.1964   

Ditën kur ndodhi masakra në Reçak, Bajrami ishte në shtëpi dhe pasi dëgjoi të shtënat, mori në krah djalin e vogël dhe u fut në pyll, në përpjekje për t’u ikur forcave paramilitare serbe. Ai u ekzekutua nga largësia. Djali i shpëtoi.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Njazi Zymeri - 10.07.1954   

Njaziu kishte të përfunduar shkollën e mesme dhe në vitet ‘90 kishe hapur një dyqan të vogël në fshatin Reçak. Njaziu u ekzekutua në Kodrën e Bebushit.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Nuk ka të dhëna  

Ajet Brahimi - 03.02.1959   

Ajeti kishte të mbaruar shkollën e mesme. Disa vite kishte punuar në shtetet perëndimore dhe ishte kthyer në Kosovë pak kohë para fillimit të luftës. Ai u vra në masakrën e Reçakut.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Mustafë Asllani - I lindur në vitin 1968   

Trupi i vrarë i Mustafë Asllanit u gjet në dalje të fshatit Reçak, në lokacionin e njohur si Çesta e Reçakut. Ai u vra pasi kishin filluar krismat e para në fshat. Mustafa punonte si korrier në një shkollë fillore në qytetin e Shtimes. Në kohën kur u vra ishte 31 vjeç.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Halit Shaqiri - I lindur në vitin 1940   

Nuk ka të dhëna  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Hakip Imeri - 26.08.1966   

Jetonte në Reçak dhe merrej me bujqësi. Trupi i tij u gjet i masakruar në Kodrën e Bebushit, në fshatin Reçak. Kur u vra ishte 33 vjeç.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Nazmi Imeri – 13.06.1917   

Tërë jetën jetoi në fshatin Reçak. Nuk kishte ndonjë shkollë të kryer. Jetonte i vetëm, ishte i pamartuar. Merrej me blegtori. U gjet i vrarë në oborrin e fqinjëve.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Bujar Hajrizi - 17.02.1979   

Ishte 20 vjeç ditën kur u ekzekutua. Kishte të përfunduar shkollën e mesme. Trupi i tij u gjet i shtrirë pranë viktimave të tjera në Kodrën e Bebushit në Reçak.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Mufail Hajrizi – 01.02.1969   

Mufaili kishte të përfunduar shkollën e mesme. Në vitet ‘90 kishte hapur një dyqan në fshatin Reçak. Kur në fshat u futën forcat policore e ushtarake serbe, sipas dëshmitarëve, ai ishte në shtëpi. Trupi i tij i pajetë u gjet në lokacionin që njihet si Kodra e Bebushit mbi fshatin Reçak.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Mehmet Ismajli - 14.05.1955   

Nuk ka të dhëna  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Nuk ka të dhëna    

Sheremet Syla - 05.11.1962   

Sheremeti kishte përfunduar shkollën e mesme në Ferizaj. Deri në vitet ‘90 punoi në Fabrikën e Vajit në Ferizaj. Trupi i tij i masakruar u gjet në Kodrën e Bebushit, së bashku me viktimat e tjera që u ekzekutuan në këtë vend.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Shyqeri Syla - 01.01.1938   

Shyqeriu merrej me bujqësi. Nuk ishte i shkolluar. U vra së bashku me djalin e tij, Sheremetin, gjatë përpjekjes për t’u ikur forcave paramilitare serbe. Trupat e tyre u gjetën në Kodrën e Bebushit, vend ku u ekzekutuan shumica e viktimave të këtij fshati.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Arif Metushi - 25.09.1946   

Arifi kishte të kryer katër vjet të shkollës fillore. Merrej me punë krahu. Një kohë punoi në Zvicër. U ekzekutua në një rrugicë të fshatit Reçak, së bashku me dy vëllezërit e tij, Hakiun dhe Sabriun.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Sabri Syla - 16.06.1939   

Sabriu merrej me bujqësi dhe blegtori. Nuk kishte ndonjë shkollim. U vra në një rrugicë të fshatit Reçak së bashku me dy vëllezërit, Hakiun dhe Arifin.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Haki Metushi - 10.10.1937   

Nuk kishte ndonjë profesion të caktuar. Merrej me punë të shtëpisë dhe kohë pas kohe punonte në shtetet e rajonit. Pasi u kap nga forcat serbe, u ekzekutua në një rrugicë të fshatit. U vra së bashku me dy vëllezërit e tij, Sabriun dhe Arifin.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Sahide Metushi - Viti i lindjes 1938   

U vra në mes të fshatit gjatë përpjekjeve për t’u ikur forcave policore të sigurisë. Nuk kishte ndonjë shkollim. Merrej me punë të shtëpisë.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Nuk ka të dhëna  

Fatmir Ramadani - 27.05.1961   

Kishte kryer shkollën e mesme në Shtime. Merrej kryesisht me punë bujqësie dhe blegtorie. Trupi i ekzekutuar i Fatimrit u gjet në Kodrën e Bebushit.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Nuk ka të dhëna  

Salih Ramadani - 26.04.1974   

Merrej me bujqësi dhe blegtori. Trupi i tij u gjet i ekzekutuar pranë viktimave të tjera në Kodrën e Bebushit mbi Reçak.   

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Nexhat Ramadani - 02.10.1978   

Kishte të mbaruar shkollën e mesme në qytetin e Shtimes. Ai ishte zënë nga forcat serbe dhe ishte ekzekutuar së bashku me viktimat e tjera në Kodrën e Bebushit.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Formacionet e armatosura  

Jashar Salihu - 08.09.1974   

Jashari punonte në një biznes të vogël familjar. Kishte të përfunduar shkollën e mesme në Shtime. Ai u vra së bashku me dy vëllezërit e tij, Raifin dhe Shukriun. Trupi i tij u gjet në Kodrën e Bebushit mbi fshatin Reçak.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Raif Salihu - 03.12.1978   

Raifi ishte 19 vjeç ditën kur u ekzekutua. Punonte në një biznes familjar me vëllezërit e tij. Nuk arriti të vijonte shkollën e mesme. Trupi i tij u gjet në Kodrën e Bebushit mbi Reçak.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Shukri Salihu - 02.06.1980   

Shukriu ishte 19 vjeç në kohën kur u ekzekutua. Trupi i tij u gjet në Kodrën e Bebushit, pranë viktimave të tjera.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Sadik Osmani - 21.05.1954   

Sadiku ishte mësues në shkollën e fshatit Reçak. U gjet i vrarë në Kodrën e Bebushit afër viktimave të tjera.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Formacione të armatosura  

Lutfi Bilalli - 15.07.1957   

Një periudhë të jetës e kishte kaluar në shtetet perëndimore. Pak para luftës ishte kthyer në Reçak. Trupi i tij u gjet pranë viktimave të tjera të masakruara në Kodrën e Bebushit.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Formacione të armatosura  

Bajrush Shabani - 01.11.1976   

Pas futjes në fshat të forcave paramilitare serbe, ai iku së bashku me vëllain e tij, Ramën. Gjatë përpjekjeve për t’u futur në pyll, Bajrushi u vra. Vëllai i tij, Rama, u kap nga policia, por i mbijetoi masakrës dhe pas shumë orësh arriti të largohej.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil  

Ragip Bajrami - 08.11.1964   

Nuk ka shumë të dhëna për të. Ai u vra në afërsi të Kodrës së Bebushit, pas rënies në një pritë të forcave serbe.  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Formacionet e armatosura  

Avdyl Sejdiu - 01.01.1900   

Nuk ka të dhëna  

Fondi për të Drejtën Humanitare: Civil    

Shënim

Për krijimin e profileve të viktimave janë përdorur të dhëna nga dokumente të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, të dhëna të Fondit për të Drejtën Humanitare, si dhe libri “Masakra e Reçakut, krim kundër njerëzimit”, i botuar në vitin 2004.   

Në këtë tekst janë përfshirë 44 viktima, fotografitë e të cilave janë të vendosura në memorialin e viktimave në fshatin Reçak të Shtimes.  

Çfarë ndodhi në Reçak?  

Në fshatin Reçak të Shtimes, në orët e para të mëngjesit të 15 janarit, 1999, u dëgjuan të shtënat e para me armë zjarri.  

Fshati që ndodhet rreth 30 kilometra larg Prishtinës, kishte filluar të braktisej nga banorët, për shkak të afërsisë në të cilën ishin vendosur policia dhe ushtria serbe.   

Gjatë një aksioni disaorësh, forcat policore dhe paramilitare serbe vranë atë ditë 45 civilë shqiptarë në Reçak.

Shumë prej tyre, sipas ekipeve vëzhguese ndërkombëtare, ishin gjymtuar.   

Numri më i madh i viktimave kishte mbetur në Kodrën e Bebushit, derisa të vrarë të tjerë kishte në të gjithë fshatin.   

Mëngjesin e 16 janarit, 1999, në Reçak shkoi William Walker, atëbotë shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë.  

Walker ishte personi i parë që alarmoi botën për krimet në Reçak.    

Nga ajo që pashë personalisht, nuk hezitoj që ta përshkruaj ngjarjen si masakër, duket qartë, padyshim një krim i rëndë kundër njerëzimit, tha Walker.  

Trupat e të vrarëve u vendosën në xhaminë e fshatit nga familjarët. Policia serbe nuk e lejoi varrimin. Luftimet midis forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës rifilluan. 

Pas gati dy ditësh luftime, forcat serbe i morën trupat e viktimave nga xhamia dhe i dërguan për obduksion në Prishtinë.  

Sipas tyre, obduksioni tregoi se ngjarja nuk kishte të bënte me masakër.  

Këtë e mohoi më vonë një raport i obduksionit, i bërë nga një ekip finlandez, nën udhëheqjen e ekspertes së forenzikës, Helena Renata.   

Në deklaratat zyrtare të institucioneve serbe thuhej se ngjarja ishte inskenim dhe se viktimat ishin pjesëtarë të UÇK-së, që ishin vrarë në luftime.    

Presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Bill Clinton, e dënoi vrasjen e civilëve shqiptarë.   

Ishte një akt i qëllimshëm dhe joselektiv i vrasjeve, i bërë për të krijuar frikë në mesin e popullit të Kosovës, tha Clinton.  

Pas gati një muaji, më 11 shkurt, 1999, në Reçak u organizua ceremonia e varrimit të 45 trupave të civilëve të vrarë.   

Mohimi i vazhdueshëm që Serbia ia bën masakrës së Reçakut    

Zyrtarët serbë vazhdojnë ta mohojnë këtë masakër edhe sot. Ata përsërisin se ngjarja në Reçak ishte

një gënjeshtër e madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm.   

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, e përsëriti këtë edhe më 10 dhjetor, 2021.  

Agresioni i NATO-s [v.j. kundër caqeve të ushtrisë serbe] filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë e as të zgjuar për t’i treguar të gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte, tha Vullin.  

Departamenti amerikan i Shtetit, në përgjigje të deklaratave të ministrit serb, tha se

mizoritë që kanë ndodhur në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë masakrën e civilëve, janë të dokumentuara mirë.  

Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës sjellin dhimbje për të mbijetuarit, çnderojnë viktimat dhe mbajnë gjallë ndarjet që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe prosperitetin për Ballkanin Perëndimor, tha Departamenti amerikan i Shtetit.   

Duke komentuar deklaratat e ministrit serb, William Walker tha se masakra e Reçakut është një ngjarje që nuk mund ta mohojë e as modifikojë askush.  

Disa nga njerëzit që sot janë duke e propaganduar [masakrën e Reçakut] si ‘një gënjeshtër të madhe’, kanë qenë në fakt të përfshirë në fshehjen e saj që nga fillimi. Mendoj se presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, është shembull shumë i mirë. Ai ka qenë ministër i Informimit në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Ai ka qenë pjesëmarrës në vendimmarrjen e asaj kohe, tha Walker.

Ish-drejtoresha e Fondit joqeveritar për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, tha se ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vullin, sërish dha një pasqyrë të pasaktë të Reçakut dhe asaj që është vërtetuar për atë krim.

“Policia e dinte se në fshat kishte edhe civilë dhe aksioni u zbatua krejtësisht në mënyrë joselektive. Nuk është konstatim i saktë se civilët janë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, por është shtënë edhe në shtëpitë ku ata ishin strehuar”, tha Kandiq.

Masakrën e Reçakut e mohon vazhdimisht edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e cilësuar si “trillim”. 

Si mbetën pa u dënuar krimet në Reçak? 

Kanë kaluar mbi dy dekada nga dita kur ka ndodhur masakra në fshatin Reçak të Shtimes, por për këtë rast nuk është dënuar drejtpërsëdrejti askush.  

Vrasja e 45 civilëve shqiptarë më 15 janar, 1999, ishte pjesë e aktakuzës së Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë ndaj Sllobodan Millosheviqit, Millan Millutinoviqit, Nikolla Shainoviqit, Dragolub Ojdaniqit dhe Vllajko Stojilkoviqit.  

Gjykata i akuzonte këta persona për vrasjen e qindra civilëve shqiptarë në Kosovë, ndërsa në mënyrë specifike përmendej vrasja e së paku 45 civilëve shqiptarë në fshatin Reçak.

Më 15 janar, 1999, ose rreth kësaj date, në orët e hershme të mëngjesit, fshati Reçak, Komuna e Shtimes, u sulmua nga forcat e Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) dhe të Serbisë. Pas granatimeve nga njësitë e Ushtrisë Jugosllave, policia serbe hyri në fshat në mëngjes dhe filloi të kryente kontrolle shtëpi më shtëpi. Fshatarët, të cilët tentuan t'i iknin policisë serbe, u qëlluan në të gjithë fshatin. Një grup prej rreth 25 burrash tentuan të fshiheshin në një ndërtesë, por u zbuluan nga policia serbe. Ata u rrahën dhe më pas u dërguan në një kodër aty pranë, ku policët i qëlluan dhe i vranë. Në total, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë vranë afërsisht 45 shqiptarë të Kosovës në dhe rreth Reçakut,

thuhej në aktakuzë.

Ish-presidenti i Serbisë dhe Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, gjatë gjykimit në Hagë, ftoi dhjetëra dëshmitarë për të dëshmuar se masakra që ndodhi në Reçak “ishte e sajuar” dhe se “të vrarët, që të gjithë, ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” dhe se ata

ishin vrarë në shkëmbim zjarri me forcat serbe. 

Millosheviq vdiq pak kohë para se Gjykata e Hagës të merrte vendim për akuzat me të cilat ngarkohej.  

Mes tjerash, ai akuzohej për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës. 

Më 26 shkurt, 2009, u shpall aktgjykimi për ish-presidentin e Serbisë, Millan Millutinoviq. Ai u lirua nga të gjitha akuzat. 

Gjykata nuk është e bindur përtej dyshimit të arsyeshëm se Millan Millutinoviq ka dhënë kontribut të rëndësishëm në ndërmarrjen e përbashkët kriminale,

deklaroi gjyqtari i Gjykatës në Hagë, Iain Bonom. 

Ish-zëvendëskryeministri jugosllav, Nikolla Shainoviq, gjenerali i ish-Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, dhe ish-shefi i policisë serbe, Sreten Llukiq, u dënuan secili me nga 22 vjet burgim për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës. 

Gjenerali i ish-Ushtrisë Jugosllave, Vlladimir Llazareviq, dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të kësaj ushtrie, Dragolub Ojdaniq, u shpallën fajtorë për pjesëmarrje në dëbimin dhe transferimin me forcë të shqiptarëve etnikë nga Kosova dhe u dënuan me nga 15 vjet burgim. 

Megjithatë, nuk u dënuan për përgjegjësi të drejtpërdrejtë në vrasjen e 45 civilëve shqiptarë në fshatin Reçak.  

Nevenka Tromp, ligjëruese e Studimeve për Evropën Lindore në Universitetin e Amsterdamit në Holandë, si dhe hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Reçaku u hoq nga rasti ndaj Millutinoviqit dhe të tjerëve, për shkak se masakra atje kishte ndodhur para se të shpallej gjendja e luftës dhe para se të niste konflikti i armatosur ndërkombëtar.  

Përgjegjësia në lidhje me masakrën e Reçakut përmendet në aktvendimin dënues të Gjykatës së Hagës për gjeneralin e policisë serbe, Vllastimir Gjorgjeviq, i cili u shpall fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës: për dëbim të dhunshëm të shqiptarëve të Kosovës, zhvendosje të dhunshme, vrasje, tranportim të shqiptarëve të vrarë nga Kosova në Serbi, përndjekje racore të shqiptarëve të Kosovës dhe shkelje të ligjeve dhe traditave të luftës.  

Në dokumentet e Gjykatës së Hagës thuhet se Gjorgjeviq luajti rol udhëheqës në përpjekjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për të fshehur vrasjen e 45 civilëve në Reçak, në janar të vitit 1999.