
Rrjeti i biznesmenëve serbë të sanksionuar nga SHBA-ja
Departamenti Amerikan i Thesarit ka zgjeruar listën e tij të zezë, duke përfshirë emra të zhurmshëm nga Kosova dhe Serbia.
Siç thuhet, në listën e sanksioneve janë: nënkryetari i partisë udhëheqëse serbe në Kosovë (Lista Serbe), Millan Radoiçiq, afaristi nga veriu i Kosovës, Zvonko Vesellinoviq, vëllai i tij Zharko dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta.
Shtetet e Bashkuara sanksionuan gjithashtu 24 kompani nga tre vende të Ballkanit Perëndimor dhe Bullgaria, të cilat janë të lidhura me grupin.
Sanksionet, të prezantuara sipas Ligjit Magnitsky (Global Magnitsky Human Rights Accountability Act), përfshijnë ngrirjen e aseteve të tyre dhe ndalimin e hyrjes në SHBA. Ky ligj autorizon Qeverinë amerikane t’i sanksionojë ata që i konsideron si shkelës të të drejtave të njeriut.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha më 8 dhjetor se sanksionet janë në harmoni me qëllimet e Samitit për Demokraci, i cili mbahet këtë javë në Uashington.
Krimi i organizuar ndërkombëtar është destabilizues dhe këto grupe shpeshherë bashkëpunojnë me zyrtarë publikë, për të mbrojtur veten nga ndjekja dhe përgjegjësia penale.
Rrjeti i të sanksionuarve dhe lidhjet e tyre:
Zvonko Vesellinoviq
Veselinoviq është afarist nga veriu i Kosovës. Në komunikatën e publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Financave të SHBA-së, thuhet se Vesellinoviq është lider i një grupi të organizuar kriminal dhe se ai është një nga figurat e korruptuara më famëkeqe në Kosovë. .
Aty shtohet se grupi i tij kriminal është i përfshirë në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë, së bashku me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët ia lehtësojnë tregtinë e paligjshme të mallrave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ministria e Financave e SHBA-së thekson gjithashtu se ky grup i krimit të organizuar ka qenë në bashkëpunim me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje me dobi të ndërsjellë, duke përfshirë korruptimin e zyrtarëve të sigurisë së Kosovës, në fillim të vitit 2019, për të lejuar operacionet e tyre të kontrabandës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe, rasti tjetër, korruptimi i zyrtarëve për sigurinë kufitare të Kosovës, në fund të vitit 2017, për të lejuar kalimin e sigurt për kontrabandistët.
Gjithashtu thuhet se Vesellinoviq dhe grupi i tij akuzohen për përfshirje të dyshuar në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, liderit të partisë opozitare Liria, Demokracia dhe Drejtësia, në janar të vitit 2018 në Kosovë. Ivanoviq u vra para selisë së partisë në Mitrovicën e Veriut me armë zjarri.
Vesellinoviq doli në qendër të vëmendjes së publikut gjatë barrikadave në veri të Kosovës, të organizuara në vitin 2011 dhe 2012. Në atë kohë, KFOR-i e identifikoi atë si një nga organizatorët e trazirave në veri të Kosovës dhe sulmeve ndaj një pjesëtari të atij misioni, gjatë të cilave u vra një ushtar.
Ai u arrestua në Serbi në vitin 2011, nën dyshimin për prodhim dhe shpërndarje të paligjshme të armëve dhe lëndëve plasëse, por prokurori hoqi dorë nga akuzat.
Në prill të vitit 2019, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese BIRN dhe KRIK publikuan dy fotografi që shfaqnin Vesellinoviqin në shoqërinë e Andrej Vuçiqit, vëllait të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Vuçiq mohoi pretendimet për lidhje me Vesellinoviqin.
Avongo Vesellinoviq nuk është deklaruar publikisht lidhur me akuzat për korrupsion nga SHBA-ja.
Zharko Vesellinoviq
Është vëllai i Zvonko Vesellinoviqit. Në komunikatën e Ministrisë së Financave të SHBA-së thuhet se Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq kishin marrëveshje me politikanët që të ndihmojnë fitoren e partisë së tyre në zgjedhje, të sigurojnë fitoret politike të kandidatëve të tyre dhe të financojnë kandidatët me shuma të mëdha parash.
Në këmbim, këta politikanë do t’u mundësonin vëllezërve kontrollin mbi disa zona për bizneset dhe aktivitetet e tyre të paligjshme, si dhe informacione biznesore për investimet e tyre.
Gjithashtu thuhet se politikanët, në këmbim, u kanë dhënë kontratat më të mira infrastrukturore.
Që nga fundi i vitit 2017, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq kanë dhënë donacione për të pastruar paratë e fituara në aktivitete kriminale, thuhet në deklaratë.
Zharko, siç shtohet, ishte një nga liderët e organizatës kriminale të Vesellinoviqit, duke marrë pjesë së bashku me vëllain e tij dhe të tjerë në aktivitete të kontrabandës, frikësimit të dhunshëm të kompanive të tjera, në projekte të ndërtimit dhe infrastrukturës, si dhe në projekte të zhvillimit të telekomunikacionit.
As Zharko Vesellinoviq nuk është deklaruar pas komunikatës nga SHBA-ja.
Millan Radoiçiq
Nënkryetari i partisë udhëheqëse serbe në Kosovë, Listës Serbe. Ministria e Financave e SHBA-së, në shpjegimin e sanksioneve, theksoi se Radoiçiq ishte zëvendës i Vesellinoviqit dhe lider i atij grupi të organizuar kriminal, kur Vesellinoviqi u tërhoq për një kohë të shkurtër. Radoiçiq ishte gjithashtu përgjegjës për kontrabandën e armëve në grupin e krimit të organizuar të Vesellinoviqit. Lidhur me akuzat, Radoiçiq nuk është deklaruar publikisht.
Siç sqarohet, Zharko Vesellinoviq dhe Radoiçiq janë në listë për shkak se ata udhëhoqën disa nga entitetet që morën pjesë në korrupsion ose anëtarët e të cilave morën pjesë në korrupsion, duke përfshirë tjetërsimin e pronës shtetërore, shpronësimin e pronës private për përfitime personale, korrupsionin në lidhje me kontratat shtetërore ose me nxjerrjen e burimeve natyrore, ose korruptimin në lidhje me mandatin e tyre.
Edhe Radoiçiq është përmendur në aktakuzë për vrasjen e Ivanoviqit.
Kosova lëshoi një urdhër arresti për të, në rastin Ivanoviq, por ai u hoq në mars të vitit 2021. Që nga fundi i vitit 2018 e deri në revokimin e urdhrit të arrestit, Radoiçiq ishte në Serbi, ku merrte pjesë rregullisht në takime me zyrtarë të lartë atje, pasi disa muaj pas vrasjes së Ivanoviqit u zgjodh nënkryetar i Listës Serbe - parti e formuar në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Lista Serbe ka pushtetin në të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Zhelko Bojiq
Siç thuhet, Bojiq ka arritur në listë sepse materialisht ka ndihmuar, sponsorizuar ose ka ofruar mbështetje financiare, materiale ose teknologjike, ose me mallra ose shërbime për Vesellinoviqin apo për mbështetjen e tij.
Bojiq ishte shef i operativës së Policisë së Kosovës në veri. Ai gjithashtu ishte ndërlidhur me vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq. Bojiqin janë duke e kërkuar institucionet e Kosovës.
Marko Roshiq
Marko Roshiq është i akuzuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Roshiq është arrestuar më 23 nëntor të vitit 2018 në Mitrovicën e Veriut dhe gjendet në paraburgim.
Ai ka mohuar përzierjen e tij në vrasje.
Radulle Steviq
Radulle Steviq është një ndër sipërmarrësit serbë nga veriu i Kosovës, i cili njihet për fitimin e shumë tenderëve nga institucionet e Kosovës për projekte të ndryshme infrastrukturore.
Tenderët kryesisht janë shpallur nga komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
Nga gushti i vitit 2018 deri në shtator, 2021, kompania “RAD”, e regjistruar në dy adresa të ndryshme, pronar i së cilës është sipërmarrësi Radulle Steviq nga veriu i Kosovës, ka fituar gjithsej 61 tenderë, në vlerë prej 5.6 milionë eurosh. Këto janë projekte të financuara nga buxheti i Qeverisë së Kosovës.
Sikurse edhe të tjerët, as Steviqi nuk është deklaruar publikisht për akuzat në lidhje me korrupsionin.
Sinisha Nedelkoviq
Siç thuhet në komunikatën e Ministrisë së Financave të SHBA-së, Nedelkoviq është vendosur në listën e zezë bashkë me disa kompani. Pikërisht njërën prej tyre, shtëpinë e mallrave “Metal” në Zveçan, në veri të Kosovës, e pati vizituar në vitin 2013 ministri i atëhershëm pa portofol, i ngarkuar për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili aktualisht është ministër i Policisë në Serbi.
Siç thuhet në një raport të shërbyesit publik RTS (Radio Televizioni i Serbisë), Vulin asokohe pati thënë:
Ne (zyrtarët serbë) do të paraqitemi kudo që të jetë e nevojshme, kudo që të na kërkojnë njerëzit tanë, ne do të jemi atje.
Nedelkoviq nuk është deklaruar publikisht për akuzat nga SHBA-ja.
Andrija Bojiq, Sërgjan Vulloviq, Millan Mihajlloviq, Millan dhe Millojko Radisavleviq, Radovan Radiq
Edhe pse më pak të njohur, ata gjithashtu u gjetën në listën e të sanksionuarve nga SHBA-ja, si pjesë e grupit të Zvonko Vesellinoviqit. Ata janë shënuar se u përkasin rrjeteve të korruptuara, të lidhura me krimin e organizuar ndërkombëtar. Asnjëri prej tyre deri më tani nuk i ka komentuar këto akuza.
Çarë kanë thënë zyrtarët e SHBA-së?
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë më 8 dhjetor se sanksionet, të cilat krahas serbëve të Kosovës, u vendosën edhe kundër individëve dhe subjekteve nga disa vende evropiane, janë në përputhje me qëllimet e Samitit për Demokraci, i cili po mbahet në Uashington.
Në strategjinë amerikane për luftën kundër korrupsionit, e publikuar më 6 dhjetor, thuhet se përgjigjja ndaj korrupsionit, krimit dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme është prioritet për sigurinë kombëtare, tha Blinken.
Në deklaratën e sekretarit amerikan të Shtetit gjithashtu thuhet se krimi i organizuar ndërkombëtar është destabilizues dhe se grupe të tilla shpesh janë në bashkëpunim me autoritetet, për t’u mbrojtur nga ndjekja ligjore.
Çfarë thanë zyrtarët e Kosovës dhe të Serbisë?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përshëndetur vendimin e SHBA-së për vendosjen e sanksioneve ndaj Zvonko Vesellinoviqit dhe “grupit të organizuar kriminal që vepron në veri të Kosovës”.
Përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve në mes Kosovës dhe Serbisë, ky grup është dëshmia më e mirë se krimi në veriun e Kosovës është realitet i përditshëm, që cenon ligjshmërinë e të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve
ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
Ai shtoi se vendimi i SHBA-së vërteton legjitimitetin e aksioneve të Policisë së Kosovës në komunat në veri të Kosovës kundër kontrabandës.
Krimi i organizuar është rrezik i sigurisë kombëtare. Republika e Kosovës është e të gjithë qytetarëve të saj. Qeveria e Republikës së Kosovë ka prioritet luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se institucionet e Kosovës janë plotësisht të përkushtuara për sundimin e ligjit dhe se do të punojnë me Shtetet e Bashkuara për të siguruar që rajoni të mos bëhet strehë për grupet kriminale.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për gazetarë, më 8 dhjetor, ka deklaruar se autoritetet kompetente të Serbisë do të hetojnë gjithçka, në rast se ekzistojnë “disa akuza të rënda”.
Ai tha se lidhur me këtë vendim e ka marrë edhe raportin joformal nga Ambasada e SHBA-së.
Ata i akuzuan, para së gjithash, për tregti të paligjshme. Në fund do t’i akuzojnë se nuk po e respektojnë kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, por kjo tashmë është punë e tyre. Nëse ka ndonjë akuzë serioze, autoritetet tona shtetërore do t’i hetojnë edhe ato.
Vuçiq mohoi se Partia Progresive Serbe (SNS), të cilën ai e drejton, i kishte marrë para Zvonko Vesellinoviqit.
Asnjë dinar nuk na e kanë dhënë, për sa u përket të tjerëve, nuk e di. Partia, të cilën e udhëheq, ka më shumë se mjaftueshëm para duke iu falënderuar mjeteve shtetërore dhe anëtarësisë. Këto janë burimet tona themelore. Nuk kemi kurrfarë nevoje për çfarëdo shtesash.